LAJMET

U arrestua nën dyshimet për kurdisje të tenderëve në vlerë 8.8 milionë euro, lihet i lirë zyrtari i AME-së

Të martën Policia e Kosovës njoftoi se ka ndërmarrë masa ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim me procedurat e tenderëve. Lidhur me këtë, një person ishte dërguar në mbajtje. Express raportoi se bëhet fjalë për Lulzim Bajramin, zyrtar në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent. Sot, në seancën e mbajtur në kushte jo fort të zakonshme, ai është liruar.

Gazeta Express

Lulzim Bajrami u arrestua e dy të tjerë u liruan në procedurë të rregullt pasi Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar një hetim lidhur me dyshimet për kurdisje të tenderëve.

Bajrami, që është i punësuar si zyrtar në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, dyshohet se i ka ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme.

Vlera e tenderëve në fjalë është mbi 8.8 milionë euro.

“Veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, duke përfshirë sigurimin e dëshmive dhe masa të tjera hetimore, përfshirë sekuestrimin e pajisjeve komunikuese”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Bajrami ishte dërguar në mbajtje për 48 orë, mirëpo sot është liruar në procedurë të rregullt.

Për Express këtë e konfirmoi avokati i të dyshuarit, Ahmet Tahiri.

“Është liruar”, tha ai shkurt, derisa shtoi se nuk e ka pranuar akoma në formë të shkruar arsyetimin për lirimin e Bajramit.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë për Express se ky institucion kishte kërkuar caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar, bazuar në nenin 175 të Kodit të Procedurës Penale”.

Gazetari i T7 Çlirimtar Morina raporton se i dyshuari për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, kishte mbetur në ashensor. Madje, për të njëjtën arsye seanca që ishte paraparë të mbahej në sallën e gjyqit është mbajtur në zyrën e gjyqtarit. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *