Ulutash dhe delegacioni i Kongresit Amerikan flasin për sigurinë në Kosovë
Komandanti i misionit KFOR-it, Ozkan Ulutash, u takua me një delegacion të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga përfaqësuesi Michael Turner, në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City”, në Prishtinë.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se Turner shoqërohej nga e ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane, Anu Prattipati.
“Gjeneralmajor Ulutash foli mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në të gjithë rajonin, si dhe mbi përpjekjet e KFOR-it”.
“Ai nënvizoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën”, citon KFOR të ketë thënë Ulutash.
Në fund, KFOR-i thekson se Ulutash gjithashtu përshëndeti kontributet e gjata dhe të vazhdueshme të ShBA-së në përpjekjet e KFOR-it dhe në stabilitetin rajonal.
