Vdes shoferi i kamionit që u rrokullis në Mazgit
Ka vdekur shoferi i kamionit që u rrokullis pak më parë në Mazgit, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Baki Kelani.
Kelani tha për Gazetën Express se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Ai bëri apel që të respektohen rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes gjatë pjesëmarrjes në trafik
“Sot, rreth orës 13:00, në segmentin e autostradës Mazgit-Prishtinë, ka ndodhur një vetaksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident është përfshirë një mjet i rëndë-kamion, i cili është rrokullisur. Si pasojë e këtij vetaksidenti drejtuesi i kamionit ka humbur jetën, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore të cilat janë duke u marrë me rastin, kanë dalë edhe ekipi mjekësor dhe njësia e zjarrëfikësve. Policia e Kosovës, vazhdon të apelojë për respektim të rregullave të trafikut dhe për kujdes të shtuar gjatë pjesëmarrjes në trafik”, tha Kelani për Express.
