LAJMET

Vrasja e trefishtë në Gjilan, IPK rekomandon suspendimin e katër zyrtarëve policorë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një hetim paraprak lidhur me dyshimet për përfshirje të mundshme të zyrtarëve policorë në rastin e vrasjes së trefishtë të ndodhur në Gjilan.

Hetimi ka për qëllim të zbulojë nëse ka pasur ndonjë lëshim apo veprim të kundërligjshëm nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që lidhen me të dyshuarin tashmë të shpallur në kërkim, Mefail Shkodrën.

Në kuadër të këtyre hetimeve, IPK ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi të mundshëm mbi dëshmitarë apo prova.

Të suspenduarit përfshijnë: Një rreshter dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale në Gjilan, Një rreshter, shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës, Një zyrtar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale Gjilan.

IPK, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka nisur procedurat për hetime penale paraprake ndaj këtyre zyrtarëve për dyshime mbi përfshirjen në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale.

Hetimet aktualisht janë në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e provave materiale, marrjen e deklaratave si dhe veprime të tjera procedurale.

https://www.facebook.com/share/p/171mRQsHYN/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *