LAJMET

Xhandarë serbë të maskuar e plagosin dhe e rrëmbejnë një serb në Leposaviq, thotë Policia: E njoftuam KFOR-in

Një serb është “plagosur” dhe “rrëmbyer” në Leposaviq nga xhandarmëria serbe, thotë Policia e Kosovës në një njoftim.

M.V. dyshohet se u plagos nga persona të maskuar që kishin hyrë në territorin e Kosovës.

“Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe”, thuhet në njoftim.

“Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia thotë se ka intervistuar dëshmitarë të rastit dhe janë siguruar informacione se i plagosuri është dërguar në drejtim të Nishit në Serbi.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”.

Policia thotë se “ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti”.

Policia thotë se “mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e sigurisë”.

https://www.facebook.com/share/p/1FhUhsJxdS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *