Orges Zhugolli është dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e Amir Zhegroves, ngjarje kjo që ndodhi më 12 shtator 2022, si pasojë e një konflikti në komunikacion, sipas aktakuzës.

Vendimi u shpall këtë javë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Të akuzuarit Orges Zhugolli i shqiptohet dënim në kohëzgjatje prej 20 vitesh burgim, i cili do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm,” – njoftoi gjyqtari Ertan Sejfulla në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Nacionale.

Avokati i Zhugollit, Naim Rudari, pas seancës ku u shpall vendimi, u deklarua duke thënë se do të ankohen dhe se ka qenë një vendim i papritur nga ana e tij.

“E pamë që është një vendim fare i përkohshëm. Është një vendim, pasi që gjykata jep vendim në emër të popullit, por ky nuk është vendim në bazë të provave, por vendim populist.”

“Ky vendim, nëse ka diku drejtësi dhe ka diku një shkallë më të lartë që respekton drejtësinë dhe bazën ligjore, nuk do të qëndrojë asesi në fuqi,” – tha Rudari për Nacionalen.

Por çka kishte ndodhur?
Në bazë të aktakuzës me të cilën u dënua me 20 vite Orges Zhugolli, thuhet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:50, afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik, komuna e Podujevës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Orges Zhugolli ka privuar nga jeta Amir Zhegrovën për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.

Gjithmonë sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, derisa i ndjeri ishte duke drejtuar veturën e tipit “Golf 6”, në të cilën gjendeshin edhe Endrit Rrustemi, Redon Rrustemi, Valon Uka dhe Valdrin Rrustemi, të cilët ishin nisur për në Prishtinë, në fshatin Gllamnik takojnë veturën “Golf 2”, të cilën e drejtonte Orges Zhugolli, dhe në momentin kur tani i ndjeri tenton që ta tejkalojë, i pandehuri e pengon duke vozitur në mes të dy shiritave dhe me shpejtësi të ngadaltë.

Tutje, sipas aktakuzës, pas disa përpjekjeve, tani i ndjeri arrin që ta tejkalojë dhe, posa që i pandehuri vëren që ajo veturë e tejkalon, ai fillon nga tani i ndjeri të kërkojë që të ndalet duke blinduar me drita, dhe pas pak i ndjeri Amir e ndal veturën afër marketit “Melis”, dhe menjëherë prapa tij ndalet edhe i pandehuri Orges Zhugolli, i cili del nga vetura me thikë në dorë.

Orges Zhugolli i afrohet Endrit Rrustemit dhe e shtyn me qëllim që ta largojë, mirëpo i pandehuri fillon të shajë, i afrohet tani të ndjerit Amir dhe menjëherë e godet një herë me thikë në gjoks, në anën e majtë të kraharorit, dhe menjëherë largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa dëshmitarët Endrit Rrustemi, Redon Rrustemi, Valon Uka dhe Valdrin Rrustemi shokun e tyre e dërgojnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ndërsa viktima rreth orës 03:00 të datës 13 shtator 2022 në QKUK ndërron jetë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë