Ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kliaj kanë refuzuar takimin me Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se edhe Pjeter Shala dhe Sali Mustafa kanë refuzuar takimin me Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale në Hagë.
“Ndonjëherë, edhe pa dashje, informimi del ose lë mundësi për t’u keqkuptuar! ‘Avokatin e Popullit ‘ të Gjykatës Speciale e kanë refuzuar edhe Pjeter Shala dhe Sali Mustafa! Besoj shumë edhe të paraburgosurit e tjerë !Prandaj, informata duhet të jepet e saktë. Nuk mjafton të përmendën vetëm Hashimi, Jakupi, Rexhepi dhe Kadria.Krejt janë të barabartë dhe të rëndësishëm ! Uroj të mos jetë gabim i qëllimshëm !?”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se para disa dite edhe krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – kanë refuzuar takimin me Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Thaçi dhe të tjerët janë ankuar për “trajtime çnjerëzore” nga Njësisa Paraburgimit, si dhe për një sërë shkeljesh të tjera të rënda që, sipas tyre, janë injoruar nga Avokati i Popullit, ndonëse ai është mandatuar pikërisht për të adresuar raste të tilla.
Madje, i kanë bërë të ditur se me këtë qasje të heshtur, ai ka cenuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.