Lushtaku reagon pasi u shpall i pafajshëm në rastin “Drenica”: Akuzat në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pasi është shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin “Drenica”, si pjesë e pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it.
Ai tha se ky rast përmbylli disa procese të gjata për të, të cilat kanë nisur 13 vjet më parë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, shpalli sot aktgjykimin me të cilin u konfirmua pafajësia ime edhe ndaj akuzave për ndikim në dëshmitarë në rastin “Drenica 1”, si pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it. Ky rast shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata e të rënda për mua, të cilat nisën para 13 vitesh, me një varg procesesh gjyqësore, me qëllim dënimin tim përmes akuzave që në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm”.
“Sot, sikurse në të gjitha proceset e mëparshme, gjykata vërtetoi pafajësinë time duke më shpallur të pafajshëm për çdo akuzë të ngritur ndaj meje. Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave e padrejtësive, ajo do të triumfojë një ditë. Falënderoj familjen time, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë qytetarët që më kanë qëndruar pranë e nuk e kanë humbur asnjëherë besimin tek unë. Mbështetja juaj e vazhdueshme ka qenë forca ime gjatë gjithë kësaj periudhe. Faleminderit përjetësisht”, ka shkruar ai.
