Në një intervistë intime për revistën British Vogue, artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ndau dëshirën e saj për të krijuar një familje dhe pasiguritë që e shoqërojnë këtë etapë të jetës.

29-vjeçarja foli hapur për ëndrrën e saj për të pasur fëmijë dhe për pyetjet që ajo shpesh herë i bën vetes: “Do të doja shumë të kisha fëmijë një ditë. Por gjithmonë kam atë pyetjen e brendshme: kur është koha e duhur? Si do të përshtatet me punën time, turnetë, dhe sa kohë do më duhet të marr pushim?”, shprehet ajo.

Dua theksoi se ideja e të qenit nënë e emocionon, por gjithashtu e kupton se të rritësh një fëmijë kërkon më shumë se thjesht dashuri. “Është një përkushtim i thellë që kërkon kohë, përgatitje dhe ndjenjë përgjegjësie.”

Një tjetër moment emocionues i intervistës është kur këngëtarja konfirmoi fejesën e saj me aktorin britanik Callum Turner, 35 vjeç, për herë të parë.

“Po, jemi të fejuar. Është shumë emocionuese. Jam e dashuruar me të. Është shumë për mua. Është një ndjenjë e mirë të dish që personi me të cilin do të kalosh pjesën tjetër të jetës tënde të njeh shumë mirë,” tha Dua, e emocionuar për këtë kapitull të ri në jetën e saj personale.

Unaza e fejesës, sipas Duas, është dizajnuar në mënyrë të personalizuar nga vetë Callum Turner, me ndihmën e motrës së saj dhe mikeshave më të ngushta, duke e bërë këtë moment edhe më të veçantë.

Dëshmia më e bukur e këtij hapi të rëndësishëm u bë publike më 9 qershor, kur Dua Lipa ndau në Instagram disa fotografi ku shihet për herë të parë me unazën e diamantit në dorë.

Në njërën prej imazheve më të përfolura, ajo shfaqet e ulur në tokë, ndërsa Turner e përqafon dhe e puth butësisht në ballë – një çast i ëmbël që ka prekur ndjekësit dhe është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë