Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka paralajmëruar për një rrezik serioz për përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.
Përmes një postimi në X, ajo bëri të ditur se ka folur me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, duke theksuar se zgjidhja afatgjatë për tensionet me Iranin nuk mund të vijë përmes konfrontimit, por vetëm përmes diplomacisë.
“Kam folur me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Rreziku për një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon është jashtëzakonisht i lartë. Diplomacia duhet të mbizotërojë. BE-ja ka qenë gjithmonë e qartë: nuk duhet lejuar që Irani të pajiset me armë bërthamore. Vetëm diplomacia mund të sjellë një zgjidhje afatgjatë. BE-ja është e gatshme ta mbështesë atë.” – ka shkruar në X Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas