Ekspertët konstatojnë rritje të ekstremit të djathtë në Kosovë
Gazetare: Mihane Hoxha
Narrativat e ekstremit të djathtë, të cilat po zhvillohen në mbarë Evropën, kanë filluar të shfaqen edhe në Kosovë. Sipas ekspertëve, diskursi publik po përshkohet çdo ditë e më shumë nga narrativa nacionaliste, antifetare dhe kundër tolerancës.
Narrativat e ekstremit të djathtë po vijnë në kohën kur po rritet ndikimi i ekstremit të djathtë në vendet e Bashkimit Evropian dhe në tërë rajonin.
Profesori universitar i shkencave politike, Bekim Baliqi, vlerëson se rritja e partive dhe grupeve të ekstremit të djathtë në Evropë lidhet ngushtë me çështje të ndjeshme si imigrimi, krizat ekonomike dhe euroskepticizmi.
“Retorika e tyre e ashpër fokusohet tek çështjet e sigurisë, krizës dhe identitetit kombëtar” – u shpreh Baliqi. Ai shtoi se megjithëse në Kosovë ndikimi i këtyre grupeve është më i kufizuar dhe pa ndonjë fuqi reale politike, ekziston tendenca për rritje, sidomos përmes nacionalizmit ekstrem dhe tensioneve ndëretnike.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i organizatës paqësore holandeze PAX, Dion van den Berg, thekson se shumica e partive të ekstremit të djathtë në Evropë janë antimuslimane dhe kundërshtojnë shoqëritë multietnike, multifetare dhe multikulturore. Ai thekson se këto grupe janë gjithashtu kundër zgjerimit të BE-së dhe përpiqen të minojnë sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve.
“Ato po bëhen gjithnjë e më të forta dhe më të guximshme në veprimtarinë e tyre, gjë që përbën rrezik për Ballkanin” – tha Berg, duke shtuar se ndikimi në Kosovë deri tani ka qenë i kufizuar.

Ekstremizmi i djathtë në kontekstin evropian dhe rajonal
Eksperti i sigurisë dhe drejtori i Qendrës Evropiane për Studime të Terrorizmit dhe Inteligjencës (ECCI) në Gjermani, Jassim Mohamad, vëren se gjatë dekadës së fundit është rritur ndjeshëm ekstremizmi i djathtë dhe populizmi në Evropë. Sipas tij, ekziston një ndarje rolesh mes aktorëve të përfshirë në akte terroriste, raciste dhe ekstremiste, të cilët bashkëpunojnë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Ekstremizmi i djathtë ka potencial të minojë partitë tradicionale politike, të mbyllë kufijtë dhe të zbatojë politika radikale që ndikojnë negativisht në sigurinë evropiane dhe globale” – thekson Mohamad.

Ai thekson gjithashtu rolin që luajnë rrjetet sociale dhe platformat fizike në përhapjen e kësaj ideologjie.
Rreziku i etno-nacionalizmit në Kosovë
Sipas hulumtueses në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Adelina Hasani, aktualisht nuk ka mobilizim të drejtpërdrejtë të ekstremit të djathtë në Kosovë, por ekzistojnë narrativa që përdoren nga grupe të ndryshme.
“Kodi Civil, IVF dhe retorikat kundër komunitetit LGBT janë shembuj të narrativave të ekstremit të djathtë. Ata synojnë të krijojnë panik dhe të demonizojnë minoritetet si kërcënim për rendin tradicional shoqëror” – vlerëson Hasani.

Ajo thekson gjithashtu se radikalizmi fetar dhe etnonacionalizmi përbëjnë faktorë kyç në krijimin e një mjedisi të favorshëm për ekstremizmin. Të rinjtë janë më të ndjeshëm, pasi kalojnë kohë të gjatë në rrjete sociale për shkak të mungesës së aktiviteteve edukative pas shkollës.
“Rreziku shtohet nga mungesa e vetëdijes kolektive dhe nga mungesa e strategjive të qarta për adresimin e këtyre kërcënimeve” – shtoi ajo. Hasani përmend edhe tensionet në veri të Kosovës dhe përpjekjet për të dëmtuar imazhin e shtetit nga aktorë të huaj, si Serbia dhe Rusia.
Teologu Zuhdi Hajzeri thekson se, ndonëse Kosova aktualisht nuk përballet me rrezik të organizuar nga ekstremi i djathtë, prapëseprapë ekzistojnë tendenca etnonacionaliste që shpërfaqen në diskursin publik dhe politik.

“Këto tendenca, nëse nuk adresohen në mënyrë institucionale dhe shoqërore, mund të çojnë në rritjen e radikalizmit në të ardhmen” – thekson Hajzeri.
Në një raport të Komisionit Evropian (2022) mbi ekstremizmin e djathtë në Ballkanin Perëndimor, përmendet mundësia për rritje të etnonacionalizmit në Kosovë. Edhe pse marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar, ato mbeten një sfidë e hapur.
“Moszgjidhja e çështjes Kosovë–Serbi është një nga rreziqet më të mëdha për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor” – thuhet në raport.
Mohamad veçon edhe nacionalizmin emocional si formë e ekstremizmit të djathtë, sidomos në veri të Kosovës.
Bashkëpunimi me Evropën për të luftuar ekstremizmin
Profesori Baliqi vlerëson se Kosova ka kapacitete dhe mekanizma për të parandaluar rrezikun nga ekstremizmi i djathtë, por bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë është thelbësor.
“Kosova ka bashkëpunim të mirë me BE-në, SHBA-në, Europol-in dhe Interpol-in, dhe është pjesë e rrjeteve rajonale kundër ekstremizmit” – tha Baliqi.
Mohamad thekson nevojën për një strategji të përbashkët evropiane, që adreson boshllëqet e partive tradicionale për të mos lejuar që votuesit të kalojnë drejt opsioneve ekstremiste.
Së fundmi, përfaqësuesi i PAX, Dion van den Berg, thekson se BE-ja duhet të jetë më e qartë në kritikat ndaj qeverive që nuk respektojnë standardet evropiane, si dhe të mos lërë pas dore shoqërinë civile.
“Organizatat e shoqërisë civile në Ballkan ndihen të braktisura. Vlerat evropiane duhet të qëndrojnë në qendër të strategjisë për rajonin” – përfundon Berg.