BOTËLAJMET

Trumpi pritet të bisedojë me Zelenskyn dhe liderët evropianë para samitit me Putinin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të mbërrijë sot në Berlin, sipas medias shtetërore ukrainase Ukrinform, ku do të bashkohet në një telefonatë virtuale midis Presidentit të ShBA-së Donald Trump dhe udhëheqësve evropianë.

Video-konferenca vjen dy ditë para se Trumpi të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska për të diskutuar përfundimin e luftës së Kremlinit në Ukrainë, raporton CNN.

Putini pritet ta përdorë takimin në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson, në skajin verior të kryeqytetit të Alaskës Anchorage, për të kërkuar që Ukraina të lëshojë territor në këmbim të një armëpushimi.

Zelensky ka hedhur poshtë mundësinë e lëshimit të tokës Rusisë. Ai do t’i bashkohet Kancelarit gjerman Friederich Merz për një takim dypalësh ndërsa është në Berlin.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha dje se po planifikonte të organizonte një takim virtual me Trumpin, Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë për të diskutuar luftën në Ukrainë.

Me samitin Trump-Putin që duket se do të lërë mënjanë Ukrainën dhe Evropën, qeveria gjermane tha të hënën se po organizonte një takim të vetin për t’u përgatitur për “negociata të mundshme paqeje” dhe “pretendime territoriale” të mundshme.

“Bisedimet do të përqendrohen në opsione të mëtejshme për veprim për të ushtruar presion mbi Rusinë”, tha qeveria gjermane.

Merz ftoi në takim udhëheqësit e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Finlandës, Italisë, Polonisë dhe Ukrainës, tha qeveria, si dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, si dhe Trump dhe Zëvendëspresidentin e tij JD Vance.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *