Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha, një nga emrat më të spikatur të muzikës pop në arenën ndërkombëtare, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram disa rrëfime të sinqerta mbi sfidat personale dhe profesionale që ka përjetuar gjatë karrierës së saj.

Përmes një serie postimesh në InstaStory, artistja është shprehur e reflektuar dhe emocionale, duke treguar se ndonëse dashuria për muzikën ka qenë gjithmonë konstante, rruga drejt suksesit nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Kam menduar shumë kohët e fundit për rrugëtimin tim në muzikë. Dashuria ime më e madhe në jetë ka qenë gjithmonë të shkruaj këngë dhe t’i performoj ato. Por diku gjatë rrugës, gjithçka pushoi së qeni e thjeshtë”, ka shkruar ajo.

Rexha ka folur edhe për ndjenjën e përjashtimit që, sipas saj, e ka ndjekur për vite me radhë – jo për mungesë talenti, por si pasojë e politikave të brendshme dhe padrejtësive që ekzistojnë në industrinë muzikore.

Ajo pranoi se, në përpjekje për të ndjekur suksesin komercial dhe për të krijuar hite, kishte humbur kontaktin me vetveten dhe me thelbin e asaj që e shtyu të merrej me muzikë.

Aktualisht, Bebe ndodhet në Evropë ku po zhvillon një seri koncertesh verore. Por, përtej aspektit profesional, ajo e përshkruan këtë fazë si një rikthim shpirtëror dhe artistik.

“Po kthehem tek vetja. Tek muzika e ndershme, autentike dhe pa kompromis”, përfundoi ajo, duke lënë të kuptohet se rikthimi i saj i ri është i mbështetur mbi sinqeritetin dhe pasionin – vlerat që e kanë frymëzuar që në fillim të karrierës së saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë