LAJMET

Bedri Hamza takon Kurtin një ditë para seancës, shihet duke dalë nga ndërtesa e Qeverisë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka takuar në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës kryeministrin Albin Kurti.

Sipas raportimeve, Kurti gjatë ditës ka zhvilluar takime edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Mediat kanë filmuar momentin kur Hamza ka dalë nga objekti i qeverisë, aty ku për të njëmbëdhjetën ditë me radhë po zhvillohen protesta kundër verdiktit dënues së Speciales.

Takimet e Kurtit me liderët opozitarë zhvillohen një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së.

PDK-ja ka proceduar në Kuvend edhe kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndërsa ende nuk dihet nëse kjo çështje do të trajtohet në seancën e nesërme.

Po ashtu nesër pritet miratimi i Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Seanca e Kuvendit vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar me vonesë, ndërsa ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.

Në të njëjtin vendim, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës është 6 tetori.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *