Dialogu Kosovë-Serbi po mbetet i bllokuar dhe për ta shtyrë përpara normalizimin e marrëdhënieve, do të nevojitet presion i konsiderueshëm nga faktori ndërkombëtar mbi të dyja palët.
Kështu vlerëson Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ku ka komentuar edhe qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, si dhe deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas Kupchan, Kurti ka tejkaluar kufijtë me retorikën nacionaliste dhe me disa veprime që e kanë vendosur Kosovën në një pozitë jo të favorshme.
“Një nga zhvillimet më pak pozitive për Kosovën gjatë viteve të fundit, sipas mendimit tim, është se kryeministri Kurti mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste. Ai ka ndërmarrë disa hapa [për shtrirjen e autoritetit] në veri, ka hezituar të ndërmarrë hapa për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka bërë edhe veprime të tjera që, në disa aspekte, kanë bërë që Prishtina të duket si problemi, e jo Beogradi”, u shpreh ai.
Kupchan shton se si rezultat i kësaj qasjeje, Kosova është përballur me sanksione nga BE-ja dhe kritika nga SHBA-ja gjatë administratës Biden.
Megjithatë, ai konsideron se presioni ndërkombëtar duhet të jetë i balancuar.
“Mendoj se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të bëjnë shumë presion ndaj të dyja palëve”.
Kurti ka paraqitur tri kërkesa për të vazhduar procesin e dialogut: dorëzimin e Millan Radoiçiqit, nënshkrimin formal të Marrëveshjes Bazë dhe tërheqjen e letrës së Serbisë që kundërshton integritetin territorial të Kosovës.
Për këto kërkesa, Kupchan thekson nevojën për një qasje graduale: “Mendoj se dialogu duhet të ecë përpara në faza, hap pas hapi. BE-ja veproi drejt kur ndërmjetësoi marrëveshjen pa kërkuar menjëherë që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”.
“Mendoj se e dimë që, në fund, kjo çështje do të përfundojë me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia, por, paraprakisht, secila palë duhet t’i bëjë hapat e nevojshëm, për të treguar vullnet të mirë dhe për të ecur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre”, tha ai.
Kupchan tutje thekson se Serbia e ka të qartë se pa njohjen e Kosovës nuk do të mund të bëhet pjesë e BE-së, ndaj sfida është ndërtimi i një “terrani të ri politik”, ku të dyja palët të kenë hapësirën e nevojshme për të marrë vendime të vështira, pavarësisht kundërshtimeve të brendshme.