LAJMET

Edhe pse në pushim, Specialja një ditë para protestës shpërndan një video të çuditshme

Një ditë përpara protestës së thirrur “kundër padrejtësisë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, Dhomat e Specializuara kanë shpërndarë një video ku zëdhënësja e Speciales, Angela Griep, foli për “mbrojtje më të mirë për dëshmitarët dhe viktimat që duan të tregojnë historinë e tyre pa frikë”.

Griep tha se Kosova dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar që gjyqet për krime lufte të mbahen jashtë territorit të Kosovës, pikërisht sipas saj, për t’i mundësuar mbrojtje më të mirë dëshmitarëve dhe viktimave.

“Në Kosovë, si në vendet e tjera demokratike është e kundërligjshme që të tentosh ta ndalosh një viktimë apo një dëshmitar që ta tregojë historinë e tij duke i kërcënuar apo duke iu premtuar ndonjë shpërblim”.

“Po ashtu, është e kundërligjshme që t’i thuash një dëshmitari të gënjejë në gjykatë apo ta ndryshojë dëshminë. Njerëzit që i thyejnë këto rregulla, mund të gjykohen dhe të dënohen nga Dhomat e Specializuara”, tha ajo përmes një video-mesazhi, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ajo kujtoi që deri tani, pesë persona janë shpallur fajtorë ose kanë pranuar fajësinë për frikësimin e dëshmitarëve, ndërsa pesë të tjerë akuzohen për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitarë.

“Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është prioriteti më i lartë në Dhomat e Specializuara. Dëshmitarët mbrohen para, gjatë dhe pas dëshmisë së tyre. Gjykata mund të mbajë përgjegjës çdo person që ndërhyn në dëshminë e dëshmitarëve”, tha ajo.

Nesër nga ora 17:00 organizatat e dala nga lufta kanë thirrur një protestë “kundër padrejtësive” për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Kjo pasi së fundi është bërë e ditur se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente nga MUP-i serb si dëshmi ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Gjykata Speciale është në pushim deri më 15 gusht të këtij viti. Deri në këtë datë, Specialja i ka ndalur edhe konferencat javore, por ka marrë mundin ta shpërndajë këtë video.

https://twitter.com/i/status/1953093371179794495

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *