Gjesti publikon baladën dedikuese “Memories”
Pas një periudhe të gjatë pauze dhe reflektimi, e cila erdhi si pasojë e një humbjeje të rëndë familjare, Gjesti ka vendosur të rikthehet në skenën muzikore me një projekt thellësisht personal dhe emocional.
Artisti ka publikuar së fundmi baladën e re të titulluar “Memories”, një këngë që shërben si dedikim prekës për vëllain e tij të ndjerë.
“Memories” vjen si një rrëfim i sinqertë i dhimbjes, mallit dhe kujtimeve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek artisti. Përmes notave të buta dhe interpretimit të ndjerë, Gjesti arrin të transmetojë emocione të forta, duke e kthyer këngën në një formë shprehjeje dhe shërimi personal.
Teksti dhe vija melodike janë krijuar nga vetë Gjesti, çka e bën projektin edhe më autentik, ndërsa për produksionin muzikor janë kujdesur Fatjon Miftari dhe Eron Hoti, të cilët i kanë dhënë këngës një dimension intim dhe të rafinuar.
Ky rikthim shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e artistit, duke treguar një anë më të pjekur dhe më të ndjeshme të tij. Kënga “Memories” është tashmë e disponueshme për publikun dhe mund të dëgjohet në të gjitha platformat digjitale muzikore.
