LAJMET

Haxhiu e konfirmon se s’do ta thërrasë së shpejti seancën konstituive: Partive duhet t’i lihet kohë për Presidentin

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të thërrasë seancën konstituive brenda afateve kushtetuese, por jo së shpejti.

Në një përgjigje të zyrës së saj për RTV21 u përmend afati i fundit se deri kur ligjërisht ka të drejtë të thërrasë këtë seancë për të konstituar Kuvendin e më pas krijimin e institucioneve tjera.

“Kushtetuta përcakton që seanca konstituive e Kuvendit thirret nga Presidenti/ta brenda 30 ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Në rastin konkret, ky afat përfundon më 7 gusht”, tha Presidenca.

Më pas aty thuhet se u.d. presidentja Haxhiu e ka parë më të arsyeshme që t’ju jep më shumë kohë partive politike për marrëveshje për të zgjedhur Presidentin meqenëse afati për këtë nis menjëherë me konstituimin e Kuvendit.

“Duke pasur parasysh që afati për zgjedhjen e Presidentit është 60 ditë dhe fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit, U.D. Presidentja Haxhiu vlerëson se partive politike duhet t’u lihet koha dhe hapësira e nevojshme për bisedime dhe për arritjen e marrëveshjes që i duhet vendit për zgjedhjen e presidentit. U.D. Presidentja po vepron brenda kompetencave dhe afateve kushtetuese, duke synuar që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe për shmangien e një bllokade tjetër”. thuhet në përgjigje.

Kosova mbajti tri palë zgjedhje në më pak se një vit e gjysmë dhe kjo përiudhë u konsiderua e humbur për vendin.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte pritur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve për të nisur negociata me partitë e tjera për çështjen e Presidentit. Rezultatet preliminare nga KQZ kishin qenë publike më herët.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *