LAJMET

Haxhiu: Seanca konstituive do të thirret brenda afatit, besimi i qytetarëve është përgjegjësi e madhe

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të thirret brenda afatit, por s’e tregoi ende datën.

Sipas Kushtetutës, seanca duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.

“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve”, shkroi ajo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit. Këtë Haxhiu e pa si përmbyllje e “një procesi të rëndësishëm demokratik për Republikën tonë”.

“Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale. Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi”.

Në fund ajo tha se “besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”.

Ndërkohë, sot u bënë thirrje që partitë politike të gjejnë kompromis dhe të mos e zgjasin edhe më tej bllokadën politike, duke e theksuar përgjegjësinë që ka partia e Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *