Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar në lidhje me vendimin e tij të së premtes për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik që merr pjesë në zgjedhje në një komunë ka të drejtë të shpenzojë deri në 2 euro për çdo votues të regjistruar në atë komunë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se ky vendim nuk ka të bëjë me ndarjen e mjeteve financiare për fushatën e subjekteve politike, pasi Komisioni nuk është përgjegjës për financimin e fushatave zgjedhore të subjekteve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ndarë mjete për subjektet politike që do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale 2025. KQZ nuk e financon fushatën zgjedhore të subjekteve politike”, tha Elezi.
Ai shtoi se vendimi ka të bëjë vetëm me kufizimin e shpenzimeve financiare që mund të bëjnë subjektet politike në komunat ku garojnë. “Vendimi i KQZ-së ka të bëjë vetëm me kufizimin e shpenzimeve financiare për subjektet politike, sipas të cilit, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar në atë komunë”, tha Elezi.
Po ashtu, KQZ njoftoi se nuk do të lejohet tejkalimi i shumës së kufizuar të shpenzimeve në komunat ku subjektet politike janë certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje. Kufizimet për shpenzimet maksimale të lejuara për fushatën zgjedhore do të zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në këto komuna, pa marrë parasysh kohën e blerjes apo të sigurisë së shërbimeve.
Ky vendim është bërë duke u bazuar në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës dhe të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri total i votuesve në vend është 2,071,544.