Kryeziu akuzon Enver Hasanin: Je fajtori kryesor pse Republika ka këtë paqartësi të paprecedentë juridike
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka akuzuar publikisht ish-kryetarin e këtij institucioni, Enver Hasanin, për gjendjen e paqartë kushtetuese që po e përjeton Kosova pas dështimit për të konstituar legjislaturën e nëntë të Kuvendit.Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Kryeziu thotë se vendi ndodhet në një situatë të paprecedentë juridike për shkak të aktgjykimeve të Hasanit, të cilat, sipas tij, kanë sjellë një deformim të frymës kushtetuese dhe krijimin e një “kushtetute paralele”.
“Ti je fajtori kryesor pse Republika e Kosovës sot duhet të funksionojë në këtë paqartësi të paprecedentë juridike, që jo pak herë rrëshqet deri në kufijtë e absurdit juridik,” shkruan Kryeziu, duke përmendur veçanërisht Aktgjykimin e vitit 2014, për të cilin thotë se “ishte një vendim i tëri i shtyrë me gjoks nga ti, nëpërmjet energjisë tënde të jashtëzakonshme bullizuese dhe imponuese”.Ai kritikon ashpër interpretimet e Hasanit rreth Kushtetutës, duke e akuzuar se ka përdorur rregulloren e Kuvendit dhe praktika administrative për të deformuar kuptimin e normave kushtetuese, gjë që, sipas tij, ka bllokuar funksionimin e institucioneve.
Kryeziu i referohet edhe dy vendimeve kyçe të Kushtetueses gjatë kohës kur Hasani ishte në krye: Aktgjykimit KO 29/11 për zgjedhjen e Behgjet Pacollit si President dhe Aktgjykimit KO 119/14 për zgjedhjen e Isa Mustafës si Kryetar i Kuvendit. Ai thotë se këto vendime e kanë shtrembëruar vullnetin e hartuesve të Kushtetutës dhe kanë krijuar një realitet paralel juridik.“Po, ta them edhe më qartë, ti ke krijuar kushtetutë paralele që dhunshëm ekziston krahas asaj për të cilën kanë votuar përfaqësuesit e popullit,” thekson Kryeziu.
Në fund, ai e përshëndet vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar atë si një hap drejt rikthimit të rendit kushtetues dhe frenimit të, siç e quan ai, “çmendurisë, kaosit e papërgjegjësisë”.Kryeziu e mbyll reagimin e tij duke thënë se nuk ndikohet nga askush dhe është i gatshëm për debat. Ai shpreh keqardhje për rolin që ka pasur në një prej vendimeve, por thekson se ishte nën presionin e Hasanit.
“Nuk ka ditë që nuk pendohem për votën time PRO si përgjigje ndaj insistimit tënd për një interpretim të caktuar,” shkruan ai, duke shtuar se Hasani ka dëmtuar qëllimisht procesin demokratik për interesa personale dhe ambicie politike.