Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje për vendosjen e 2,000 trupave të Gardës Kombëtare në Los Angeles, ku protestat kundër bastisjeve të imigracionit janë përshkallëzuar.
Vendimi i tij për të thirrur Gardën Kombëtare anashkaloi autoritetin e Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili e quajti këtë veprim “qëllimisht nxitës”.
Të paktën 118 emigrantë u arrestuan në operacione në të gjithë qytetin gjatë javës së kaluar, gjë që çoi në skena të tensionuara ndërsa turmat u mblodhën jashtë bizneseve që mendohej se ishin bastisur.
Departamenti i Sherifëve të Qarkut të Los Angeles tha se turmat “u bënë gjithnjë e më të shqetësuara, duke hedhur objekte dhe duke shfaqur sjellje të dhunshme”, duke bërë që policia të përdorte gaz lotsjellës dhe granata tymuese.
Guvernatori Newsom, së bashku me kryetarin e bashkisë së Los Angeles dhe një kongresmene të Kalifornisë, thanë në komente të veçanta se besonin se policia lokale mund të përballonte protestat. Njëzet e nëntë persona u arrestuan, sipas zyrtarëve lokalë, ka raportuar BBC