Operacioni ‘Lugu’ i Antidrogës – Arrestohen 6 persona e kapet kokainë në vlerë të 18 mijë eurove
Pas hetimeve të zhvilluara ndaj gjashtë personave të dyshuar se janë marrë me shit-blerje të substancave narkotike, Policia e Kosovës ka realizuar operacionin policor “Lugu”, ku janë arrestuar të njëjtit.
Policia e Kosovës njofton se operacioni u krye në tetë lokacione të ndryshme me autorizimin e Prokurorisë Themelore dhe me urdhëresë të Gjykatës në Prishtinë.
Poashtu bëhet e ditur se janë sekuestruar 1. 300 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë (vlera e së cilës vlerësohet se është rreth 18, 000 euro), 13 mijë e 294 Euro, 2 DVR, dhe 5 vetura me targa vendore si dhe prova tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
“Të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e shpërndarjes së narkotikëve”, njofton PK./Vendisot.info