Osmani: S’e kam braktisur elektoratin e LDK-së, elektorati u largua pas gabimeve të lidershipit në 2020
Vjosa Osmani, kandidate për presidente e LDK-së, ka deklaruar se nuk e ka braktisur asnjëherë elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se qëndrimet e saj politike kanë qenë në përputhje me premtimet e dhëna gjatë kohës kur ka qenë kandidate për kryeministre.
Në Debat Plus, Osmani tha se largimi i një pjese të elektoratit të LDK-së në vitin 2020 ka ndodhur për shkak të gabimeve të lidershipit të atëhershëm të partisë.
Ajo theksoi se nuk është penduar për mbrojtjen e qëndrimeve të saj politike dhe se nuk sheh arsye për kërkim faljeje.
Sipas saj, për shkak të qëndrimeve të saj politike, ajo është përjashtuar nga lidershipi i atëhershëm, por theksoi se ato qëndrime i qëndron edhe sot.
“Jo, Vjosa Osmani nuk e ka braktis kurrë elektoratin e LDK-së. Elektorati i LDK-së nuk është që janë lidhur me emra, elektorati i LDK-së janë larguar në vitin 2020 për shkak të gabimeve fatale që i ka bërë atëherë lidershipi i atëhershëm i LDK edhe nëse dikush mendon që unë dalë edhe kërkoj falje pse e kam mbrojtur vullnetin e elektoratit të LDK-së le ta harrojë, kurrë e për jetë. Unë nuk jam pishman që e kam mbrojtur secilin premtim para elektoratit të LDK si kandidate për kryeministre. Duke e mbrojtur atë qëndrim mua më ka përjashtuar ai lidership, dhe ato qëndrime i mbaj edhe sot. Nuk është çështje për kërkim falje…”, ka deklaruar ajo.
