LAJMET

​Parregullsitë në prokurim bllokuan procedura prej 22.5 milionë eurosh

Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin “Kostoja e procedurave të papërfunduara: rivlerësime të përsëritura dhe mungesa e kontratave”, në të cilin evidentohen shkelje të shumta në pesë procedura të prokurimit publik me vlerë të përgjithshme prej 22.5 milionë eurosh.

Raporti bazohet në monitorimin e procedurave të zhvilluara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh). Sipas raportit, janë identifikuar praktika që kanë çuar në zvarritjen e procedurave, anulimin e tyre ose moslidhjen e kontratave.

Sipas një komunikate, ndër gjetjet kryesore përmenden emërimi i parregullt i anëtarëve të komisioneve të vlerësimit, paraqitja e arsyeve të reja për eliminimin e operatorëve ekonomikë vetëm gjatë fazës së rishqyrtimit, rekomandimi për dhënien e kontratave operatorëve me çmime jo normalisht të ulëta pa një vlerësim të plotë dhe të dokumentuar, si dhe shkurtimi i pajustifikuar i afateve ligjore për dorëzimin e ofertave.

Raporti evidenton gjithashtu raste kur procedurat e prokurimit kanë mbetur të bllokuara për më shumë se dy vjet, pavarësisht vendimeve të përsëritura të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), duke shkaktuar vonesa në realizimin e kontratave dhe duke ndikuar negativisht në efikasitetin e shpenzimit të parasë publike.

Bazuar në këto gjetje, D+ rekomandon që autoritetet kontraktuese të sigurojnë emërimin e ligjshëm të komisioneve të vlerësimit, të respektojnë parimin e sigurisë juridike gjatë shqyrtimit të kërkesave për rishqyrtim, të bëjnë vlerësim të rregullt të ofertave me çmim jo normalisht të ulët, të garantojnë transparencë dhe proporcionalitet në procedurat e prokurimit, si dhe të përfundojnë procedurat brenda afateve ligjore duke zbatuar në mënyrë efektive vendimet e OShP-së.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *