LAJMET

Partitë shqiptare garojnë me listë të përbashkët për Graçanicë

Nënkryetari i komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, ka bërë të ditur se partitë shqiptare, VV, PDK, LDK dhe AAK në këtë komunë i kanë lënë anash bindjet partiake dhe kanë vendosur që t’i hyjnë garës në një listë të përbashkët, Aleanca Shqiptare.

Ajeti tha se përveç partive që kanë deleguar anëtarët e tyre, pjesë e listës do të jenë edhe pjesëtarë e aktivistë me profile të ndryshme e me ndikim në komunën e Graçanicës.

“Nga dhjetë kandidatë për Asamble Komunale, katër do jenë të gjinisë femërore. Përveç listës së përbashkët shqiptare për Asamblenë Komunale, këto zgjedhje kandidojmë edhe për Kryetar të Komunës”.

“Me kënaqësi të madhe e përgjegjësi të lartë ndihem skajshmërisht i privilegjuar që emri im është përzgjedhur si kandidat për kryetar të Komunës, i listës së përbashkët shqiptare”, shkroi Ajeti.

Tutje, Ajeti kërkoi përkrahjen e banorëve të Graçanicës, uke thënë se me ide të përbashkëta dhe me ndihmën e nivelit qendror dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm do ta transformojnë këtë qytet.

“Ditëve në vijim do të dalim edhe me programin tonë qeverisës për katër vitet e ardhshme, program që do të përfshijë investim në çdo pjesë të Graçanicës, pa dallim etnie e feje, sepse ALEANCA SHQIPTARE do t’ju shërbej të gjithëve”.

“Po ashtu, këto ditë do të njoftoheni me listën e kandidatëve për Asamblenë Komunale, e cila do të jetë listë fituese e këtyre zgjedhjeve”, shkroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *