Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë vazhdojnë grevën që nga 22 maji, duke hyrë kështu mbi javën e dytë të pezullimit të punës. As në ditën e dytë të festës së Fitër Bajramit ata nuk e kanë ndërprerë protestën, duke kërkuar zgjidhje për krizën financiare që ka kapluar ndërmarrjen.
Ata janë duke protestuar para objektit të Komunës së Prishtinës, ku kanë kërkuar që institucionet të marrin masa konkrete për të zhbllokuar situatën.
Sindikata e punëtorëve ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ka hedhur poshtë kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për pezullimin e përkohshëm të rregullores që përcakton mënyrën e re të pagesës për shërbimet e mbeturinave.
Sipas këtij vendimi, faturat për shërbimet e mbeturinave duhet të paguhen drejtpërdrejt kompanisë “Pastrimi”, dhe jo përmes operatorëve privatë, siç ishte praktikuar më parë.
Punëtorët paralajmërojnë se nuk do të ndalin grevën deri në një marrëveshje konkrete që do të garantojë funksionimin financiar të ndërmarrjes dhe sigurinë e vendeve të tyre të punës.