Për shkak të fluksit të shtuar të lëvizjeve gjatë sezonit turistik, strukturat e Policisë Rrugore në Vlorë kanë bërë të ditur se kanë intensifikuar monitorimin në të gjitha rrugët, me fokus të veçantë në segmentet që të çojnë drejt zonave bregdetare.
Sipas policisë, Tuneli i Llogarasë është nën vëzhgim të vazhdueshëm 24/7, përmes sistemit të kamerave të sigurisë që regjistrojnë çdo moment qarkullimin, transmeton Klankosova.tv.
Çdo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor konstatohet në kohë reale dhe penalizohet pa tolerim, sipas Kodit Rrugor.
Ndryshe, në këtë segment rrugor ndalohet qarkullimi i mjeteve me peshë mbi 3.5 ton, si dhe ndalohen në mënyrë kategorike parakalimet në tunel, të cilat përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë rrugore. Çdo shkelje e këtyre rregullave sjell masa të menjëhershme ndëshkimore administrative.
Policia e Vlorës u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, respektoni sinjalistikën rrugore dhe udhëtoni me kujdes, për të garantuar një sezon të qetë dhe të sigurt për të gjithë.