Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar në pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve nga vendet e treta.

Pas raportimeve në media se Qeveria në detyrë e Kosovës është shprehur e hapur për të qenë pjesë e këtij procesi, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka konfirmuar për Klan Kosova se e vlerëson këtë bashkëpunim si pjesë e një prioriteti të rëndësishëm të Administratës Trump.

“Jemi mirënjohës ndaj partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të tyre në vendet e origjinës. E mirëpresim bashkëpunimin në këtë përparësi kyçe të Administratës Trump,” thuhet në deklaratën e ambasadës.

Më tej, theksohet se zbatimi i politikave të imigracionit të Administratës Trump mbetet një ndër prioritetet kryesore të Departamentit të Shtetit.

“Angazhimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është thelbësor për të parandaluar migrimin e paligjshëm dhe në masë, si dhe për të siguruar kufijtë tanë. Partnerët e SHBA-së dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe në masë. Siç ka deklaruar Sekretari Rubio, mbetemi të vendosur në angazhimin tonë për të ndaluar migrimin e paligjshëm dhe për të forcuar sigurinë kufitare të Amerikës,” përfundon reagimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, njofton Klankosova.tv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë