LAJMET

Sonte në orën 18:00 takimi i ri, ku e kishin lënë muhabetin Kurti e Abdixhiku pas takimit në korrik?

Albin Kurti fliste për “ndërmarrje të madhe e të gjerë” me LDK-në, ndërsa Lumir Abdixhiku e konsideronte “hap të mbarë” takimin e fundit mes tyre më 10 korrik. Të dy liderët do të takohen sot në 18:00 për t’i vazhduar bisedimet për formimin e institucioneve të reja.

Gazeta Express

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohet sot në Kuvend me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Bisedimet e pezulluara në mes të korrikut, kur rreth 150 delegatë të partisë dorëzuan nënshkrimet për të kërkuar shkarkimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, do të rifillojnë sot në orën 18:00.

Pasi më 30 korrik i mbijetoi një votëbesimi për të mbetur në krye të LDK-së, Abdixhiku paralajmëroi se do t’i vazhdojë bisedimet me Kurtin “aty ku kanë mbetur”.

Ku mbetën diskutimet?

Para takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-presidenten Vjosa Osmani më 10 korrik, kryetari i LVV-së, Albin Kurti ishte shprehur optimist.

Kurti kishte folur për “atmosferë konstruktive” pas atij takimi. Tha se kishin folur edhe për “orarin që na pret përpara konstituimit të institucioneve”.

Ai kishte folur për “ndërmarrje të madhe e të gjerë” me LDK-në dhe takime të tjera në vazhdim.

Theksonte se ishte “takimi i parë” dhe shtonte se do të kishte edhe takime të tjera, ndërsa përmendte se “kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive”.

Kurti thoshte se në atë takim ishin trajtuar të gjitha temat, megjithëse shtonte se nuk kishte ende një marrëveshje konkrete. Ai thoshte, sërish, se ishte optimist “për rrugën përpara”.

“Diskutojmë koncepte, parime, gjithashtu orare e funksione. Është një ndërmarrje e madhe e gjerë që kërkon besim e mirëbesim, e cila kërkon kohë për realizim. Do të jemi transparentë karshi jush sa i përket procesit në të cilin ndodhemi, e kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave, të cilat duhet të rezultojnë me të arritura konkrete që të kemi çka të bëjmë publike”, kishte deklaruar ai.

Me Abdixhikun e Osmanin, Kurti thoshte se kishin më shumë se “çka të bëjmë strategjikisht që ta arrijmë numrin maksimal të deputetëve kur të vijë çështja e zgjedhjes së Presidentit”.

Shmangia e zgjedhjeve të reja është e domosdoshme, thoshte kryetari i LDK-së pas atij takimi , të cilin e vlerësonte si “hap i mirë, i mbarë për të hapur kapitujt tjerë takues e diskutues”.

“Për marrëveshje të mirë për Republikën e Kosovës dhe për stabilitetin institucional dhe për shmangien e zgjedhjeve, LDK-ja flet si tërësi unike”, thoshte ai, dhe shtonte se “unë natyrisht flas në emër të të gjithë deputetëve”.

Në atë fazë, Abdixhiku thoshte se ishin dakorduar për ta vazhduar komunikimin.

“Ne po flasim në këtë fazë për parimet dhe vlerat rreth të cilave duhet të diskutojmë. Në këtë fazë, e di që keni interes për të marrë vesh detajet të cilat ne ende s’i kemi definuar. Nuk kemi arritur të flasim as për emra të përveçëm, por për procesin”, deklaronte ai.

Abdixhiku thoshte se “po bëjmë përpjekje t’i definojmë këto parime”.

“E rëndësishme është që po flasim para se të merren ose të nisin hapat e njëanshëm për formimin e institucioneve, dhe kjo më jep shpresë”, deklaronte ai.

Pasi i mbijetoi votëbesimit në një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë, mbajtjen e të cilit e kërkuan rreth 150 delegatë të LDK-së, Abdixhiku tha se rezultati ishte konfirmim edhe i “dhënies përfundimisht të kontributit partiak në stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës”.

“LDK-ja ka mision që Republikës së Kosovës t’i japë stabilitet”, tha ai pasi u konfirmua si kryetar.

LDK-ja me atë rast miratoi një deklaratë, në të cilën, mes tjerash, thuhet se “të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara në organet kompetente të partisë”

“Delegatët e këtij kuvendi, me votë shumicë, mbështetën përpjekjen tonë për të siguruar stabilitet institucional në Kosovë dhe për të provuar për t’i shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha Abdixhiku.

Me këtë deklaratë, Abdixhiku tha se delegatët kërkuan edhe nga deputetët e LDK-së, nga Kryesia e LDK-së, nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, që “të respektojnë në plotni këtë orientim partiak dhe t’i implementojnë këto vendime deri në masën përfundimtare të tyre”.

“Për marrëveshje të mirë, LDK-ja, me vullnetin e Kuvendit të LDK-së, duhet t’i ketë të gjitha votat. Unë s’mund të përcaktojë fatin individual që janë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe dëshirojnë të veprojnë jashtë LDK-së. Por, për aq sa janë në LDK, duhet dhe do të respektojnë këtë vendim të LDK-së, përndryshe s’ka kuptim as demokracia, as organizimi partiak”, tha ai.

Abdixhiku tha se “s’mund të kërkoj votë mbështetëse prej deputetëve të LDK-së pa pasur një marrëveshje”.

“Për marrëveshje të mirë s’besoj se do të mungojë një votë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës”, theksoi ai.

Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet pasnesër në orën 10:00 dhe pasi të jenë zgjedhur kryeparlamentari dhe nënkryetarët, atë ditë nis zyrtarisht procedura për zgjedhjen e shefit të shtetit, e cila duhet të përfundojë brenda 60 ditësh.

Mozgjedhja e Presidentit ishte shkaku që më 7 qershor vendi mbajti zgjedhjet e treta në rreth një vit e gjysmë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *