Vrasja e Diana Kastratit, gjykata i bën thirrje për dorëzim Adnon Jasharit pasi u caktua seanca
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar për 10 nëntor 2026 seancën fillestare ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati 15 vite më parë. Gjykata ka publikuar edhe ftesën e seancës, përmes së cilës i ka bërë thirrje të pandehurit Jashari- i cili ndodhet në arrati që nga viti 2011, që të paraqitet në seancë dhe t’iu dorëzohet organeve.
“Konform nenit 303 paragraf 8 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata i bën thirrje të akuzuarit Adnon Jashari të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij…”, thuhet në ftesë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, Gjykata bën thirrje që kushdo që ka informacion relevant lidhur me vendndodhjen e të akuzuarit, t’ia komunikojë informacionin policisë.
Seanca u caktua për 10 nëntor 2026 nga ora 9:30 dhe mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 8 dhjetor 2023, kishte ngritur aktakuze kundër Adnon Jasharit, i cili akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati 15 vjet më parë, pasi që ajo kishte refuzuar të kthehej në shtëpinë e të njëjtit. Jashari gjendet në arrati nga viti 2011.
Sipas aktakuzës, Adnon Jashari akuzohet se më 18 maj 2011, rreth orës 10:30 minuta, në udhëkryqin e rrugëve “Haxhi Zeka”dhe “Xheladin Kurbaliu” në Prishtinë, në afërsi të shtëpisë ku tani e ndjera Diana Kastrati jetonte te prindërit e saj, pas prishjes së raporteve me ish-bashkëshortin e saj jashtëmartesor, tani të pandehurin Jashari, me të cilin kishin një fëmijë, për shkak se në 2 vitet e fundit i pandehuri vazhdimisht e kishte maltertuar fizikisht dhe psiqikisht, Kastrati dhe prindi i saj- tani i dëmtuari Gëzim Kastrati kishin kërkuar edhe urdhër mrbojtës nga gjykata.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari pas disa përpjekjeve të mëhershme si dhe një ditë më parë, për të bindur tani të ndjerën Kastrati që përkundër vullnetit të saj, të shkojë dhe jetojë me të pandehurin në shtëpinë e tij, ajo nuk kishte pranuar, dhe në ditën kritike, i pandehuri e kishte përcjellë tani të ndjerën dhe befasisht ia kishte zënë rrugën, e pastaj me përdorimin e dhunës ishte munduar ta marrë me vete.
Mirëpo, akzakuta thotë se tani e ndjera nuk ishte bindur dhe derisa dëshironte të largohej nga i pandehuri, ky i fundit nga hakmarrja e paskrupullt dhe me dashje që ta privojë nga jeta, nga brezi e kishte nxjerrë revolen, ndërsa me një dorë e ka mbajtur për koke tani të ndjerën, ka shtënë dy herë me revole në drejtim të saj dhe e ka qëlluar në qafë nga afërsia, e pastaj e ka futur armën në brez dhe me hapa normal ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugës së Tregut.
Ndërsa, tani e ndjera Kastrati sipas aktakuzës, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, si pasojë e goditjes vdekjeprurëse nga arma e zjarrit.
Me këtë, Adnon Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar. 1.3 dhe 1.8 të Kodit Penal.
Sipas pikës II të dispozitivit të aktakuzës, i pandehuri Jashari nga periudha kohore e pacaktuar e deri më 18 maj 2011, në shtëpinë e tij, ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, armën e tipit të panjohur të kalibrit 7.6 5mm, të cilën e ka përdorur në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur.
Ndërsa, në po të njëjtën ditë, në dysheme të dhomës afër anës së djathtë të dritares në katin e dytë të shtëpisë së të pandehurit, policia ka gjetur dhe sekuestruar, një gëzhojë fisheku, brusha dhe lecka për pastrimin e armës, një fotrollë plastike e dorezës së armës Combat si dhe një këllëf brezi të pistoletës.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtaj në pronësi, kontroll ose psoedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Prokuroria plotësoi aktakuzën më 19 mars 2026
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2026, ka bërë plotësimin e aktakuzës, pas kërkesës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, pasi që Prokuroria në aktakuzën filelstare iu kishte referuar Kodit Penal të Republikës së Kosovës (i cili ka hyrë në fuqi më 14 prill 2019), mirëpo në kohën e kryerjes së veprës penale kishte qenë në fuqi Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës, i cili ka qenë në fuqi nga 6 prilli 2004 deri në janar 2013.
Përkatësisht, Prokuroria ndryshoi atakuzën në “Vrasje e rëndë” nga neni 147, par.9 i Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, par.2 i Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi
