Zjarr në një zonë fushore në Ferizaj
Një incident zjarri ka ndodhur të dielën në një zonë fushore afër një restoranti në fshatin Llojza të Ferizajt.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi I Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas Veselit, zjarri rrezikonte të përhapej në lokacione të tjera, mirëpo ekipet e zjarrfikësve në vendin e ngjarjes kanë arritur ta lokalizojnë atë.
“Sot, më 03.08.2025 rreth orës 13:30, Policia në Ferizaj është njoftuar për një incident zjarri në fshatin Llojza. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Zjarri kishte përfshirë një zonë fushore afër një restoranti dhe se rrezikonte përhapjen në lokacione të tjera. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe disa njësi të zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta shuajnë zjarrin. Për fat të mirë, nuk raportohet për persona të lënduar. Zjarri ka shkaktuar dëme materiale, përfshirë djegien e një deponie të mbeturinave dhe disa goma, ndërsa është krijuar tym i madh. Aktualisht nuk ka të dyshuar”, ka thënë Veseli.