Edi Rama e diskuton mbështetjen financiare për krerët e UÇK-së: Kurti ka pasur frikë që po ua rëndon pozicionin
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama diskutoi sot në episodin e 10-të të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim” me profesor Arjan Gjonçaj, lidhur me gjyqin e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Gjonçaj tha se është habitur nga mungesa e mbështetjes financiare nga shteti i Kosovës për specialistët dhe ekspertizën e nevojshme për mbrojtjen e të akuzuarve.
Rama tha se kishte biseduar për këtë çështje me njerëz të ndryshëm, por nuk e kishte trajtuar drejtpërdrejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se ka pasur frikë që po ua rëndon pozicionin.
“Unë nuk e kam diskutuar këtë gjë nga afër me kryeministrin, me Albinin, por besoj që kjo nuk është bërë për arsye politike. Ai ndoshta ka pasur frikë ta bëjë këtë për të mos rënduar pozicionin e tyre, sepse pozicioni i tij në raport me BE-në dhe SHBA-të nuk është i lehtë”, tha Rama.
“Nuk e di sa kanë dhënë ata, me siguri më shumë se ne. Ne kemi ndihmuar më shumë. Besoj që ai nuk ka dashur të ekspozohet si person që po sfidon sistemin ndërkombëtar, ndërkohë që ka qenë haptazi kundër tribunaleve”, shtoi ai.
