PDK e AAK i bëjnë thirrje partisë fituese: Kthehuni në Kuvend, ndaleni bllokadën institucionale
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kanë mbajtur sërish aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit, raporton Ekonomia Online.
Aksionit të sotëm u janë bashkuar edhe asamblistë, drejtorë komunalë dhe aktivistë nga Vitia, Gjilani dhe Kamenica.
Në emër të pjesëmarrësve ka folur Valmir Sahiti, drejtor i Rinisë, Kulturës dhe Sportit në Viti, i cili tha se janë mbledhur për të shprehur shqetësimin për, siç e cilësoi ai, bllokadën institucionale.
“Jemi sot këtu bashkë me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, grupin e Aleancës, kolegë këshilltarë komunalë, drejtorë nga Komuna Viti, Gjilan e Kamenicë, për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për mungesën e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe bllokadën institucionale. Sot kur po flasim, shumica e institucioneve të Republikës së Kosovës janë me ushtrues detyre, shteti është në një kolaps të thellë, janë bllokuar shumë marrëveshje ndërkombëtare, komunat – të gjitha komunat në krejt Republikën e Kosovës – janë para bankrotit financiar e mbi të gjitha qytetarët e Republikës po përballen me një zhgënjim, me pasoja të thella institucionale, me një zhgënjim të thellë edhe krizë ekonomike.
