Aktgjykimi i Kushtetueses: Si shkohet në zgjedhje të reja nëse Kosova dështon ta zgjedh presidentin deri më 6 tetor
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në vendimin e saj të fundit ku cakton 6 tetorin si ditën e fundit kur duhet të përfundohet procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, ka sqaruar edhe rrugën se si shkohet në zgjedhje të reja në rast të dështimit për ta bërë vendin me shef të ri.
Gjykata thekson se nëse Kuvendi dështon të zgjedh presidentin deri me 6 tetor, atëherë shpërndarja e Kuvendit bëhet automatikisht në bazë të Kushtetutës dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve.
“Në fund, Gjykata rithekson që në rast se pas hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi deri më 6 tetor 2026 duhet të vazhdojë dhe të përfundojë zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin/en e ri/re, Kuvendi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, pas ditës së shpërndarjes së Kuvendit, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafit 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës”, thuhet në vendim.

