LAJMET

Pacolli thotë se fitoi padinë ndaj Faton Pecit për shpifje e fyerje: Gjykata e detyroi për kompensim jomaterial

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka thënë se sot ka marrë një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë për padinë që ai kishte ushtruar ndaj ish-ministrit Faton Peci, tashmë kryetar i Mitrovicës.

Pacolli tha se gjykata ka aprovuar padinë e tij dhe e ka detyruar Pecin që “për deklaratat e bëra ndaj meje në rrjete sociale dhe në disa emisione televizive në nëntor të vitit 2024, të më kompensojë dëmin jomaterial të shkaktuar nga shpifja dhe fyerja”.

“Për mua, ky rast nuk ka qenë dhe nuk është çështje parash. Është çështje e së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për fjalën publike”

Pacolli thotë se kritika është pjesë e jetës publike dhe duhet pranuar, por se shpifja dhe fyerja janë “diçka tjetër”.

“Askush, pavarësisht pozitës apo funksionit që mban, nuk duhet ta konsiderojë hapësirën publike si licencë për të cenuar reputacionin dhe dinjitetin e tjetrit. Unë zgjodha që ndaj këtyre deklaratave të përgjigjem përmes institucioneve dhe rrugës ligjore. Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë dha vendimin e saj. Do të vazhdoj të mbroj emrin dhe dinjitetin tim me fakte dhe përmes institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Në vitin 2025, Pacolli përmes një postimi në Facebook kishte thënë se Peci kishte deklaruar se “një dëshmitar” do të dalë e ta denoncojë Pacollin për “vrasje të heronjve”. “Rreth fundit të vitit të kaluar, Faton Peci – përveç ofendimeve dhe shpifjeve që më bëri publikisht – në dhjetëra emisione televizive pati premtuar se shumë shpejt (madje duke e kufizuar këtë kohë në ditë) do të paraqitej një “dëshmitar” që do të më denonconte për “vrasje të heronjve”. Që nga atëherë ka kaluar shumë kohë – jo vetëm ditë e javë, por disa muaj – dhe ky “dëshmitar i paralajmëruar” ende nuk është shfaqur. Nëse ky dëshmitar nuk është paraqitur deri më tani, atëherë me plot të drejtë mund të konkludojmë se Faton Peci edhe një herë tjetër ka shpifur dhe ka gënjyer, ashtu siç ka bërë edhe në raste të tjera. Kosova meriton ministra të përgjegjshëm, jo shpifës dhe gënjeshtarë!”, kishte shkruar Pacolli atëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *