Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe mbarë botën po festojnë sot festën e Kurban Bajramit.

Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, raporton Vendi Sot

Përmes postimit në Facebook, Bashkësia Islame e Kosovës, ka bërë të ditur se “Ceremonia e Kurban Bajramit filloi në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut. Më pas, u mbajt ligjërata tematike kushtuar festës nga dr. Besnik Llumnica”.

Postimi i plotë i BIK-ut:

Namazit të Kurban Bajramit i priu Hetem ef. Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës. Ndërsa, hytben e Bajramit, e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava me mesazhe paqeje dashurie, solidariteti, mirëkuptimi për njëri tjetrin.

“Festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi, por edhe reflektimi. Është ditë kur rikujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që Ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë drejt njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi.

Kurban Bajrami është ditë e madhe, ditë adhurimi, sakrifice dhesolidariteti. Është kujtim i gjallë i sakrificës së madhe të pejgamberit Ibrahim a.s., i cili, me bindje të plotë ndaj urdhrit të Zotit, ishte i gatshëm që ta flijonte djalin e tij Ismailin a.s..”

Në mesazhin e hytbes së Kurban Bajramit nga Myftiu Tërnava, ai foli edhe për rënien e natalitetit të Kosovës për siç tha ai për shkaqet të pasigurisë financiare.

“Në këto kohë, Kosova po përballet me një rënie serioze të natalitetit. Familjet e reja ngurrojnë të lindin më shumë se një apo dy fëmijë për arsye të ndryshme, shpesh ekonomike, por edhe për shkak të frikës dhe pasigurisë. Disa po migrojnë nga Kosova dhe vendet e tjera shqiptare, disa edhe në këtë kohë kur ne po flasim, në shtetet përreth nesh po asimilohen duke e humbur gjuhën shqipe si gjuhë të nënës, dhe ne kemi ngelur vetëm si spektatorë pasivë. Por le të kujtojmë se parimet e fesë sonë nxisin që ne të kemi familje tëmadhe dhe të mos frikësohemi për riskun e tyre, ngase atë e ka garantuar Krijuesi ynë”.

Festa e Kurban Bajramit vjen pas kryerjes së haxhit ku edhe besimtarë të shumtë nga Kosova po kryerjnë këtë obligim së bashku me miliona haxhilerë nga e mbarë bota.

Festa e Kurban Bajramit shoqërohet edhe me therje të kurbanit nga besimtarët që kanë mundësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë