Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka apeluar për qetësi dhe mbështetje të fortë për ekipin kombëtar para ndeshjes së shumëpritur Shqipëri – Serbi, që luhet të shtunën në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Duka ka kërkuar nga tifozët që të fokusohen në përkrahjen për skuadrën dhe të mos shkaktojnë incidente që, sipas tij, nuk i ndihmojnë askujt.

“Ne bëjmë bashkëpunimin me institucionet organizative. Dhe i bëjmë thirrje gjithë mbështetësve ta shohin si një ndeshje futbolli. Të bashkëpunojnë me ne për të pasur një organizim pozitiv, me emocionet e një ndeshje futbolli. Incidentet nuk ndihmojnë askënd. Le të mbështesim skuadrën dhe të ecim përpara”, ka deklaruar ai për faqen zyrtare të FSHF-së.

Duka ka shprehur pritshmëri për një atmosferë elektrizuese në stadium dhe shpreson që presioni i madh të shërbejë si motivim për lojtarët.

“Nga pikëpamja sportive vazhdoj të mendoj që është e vështirë dhe ka presion edhe për djemtë që luajnë. Kërkesat janë të larta dhe stadiumi do jetë i tejmbushur. Uroj mos të jetë presion që e ndrydh ekipin tonë, por të jetë një shtysë për t’i rritur drejt një rezultati pozitiv. Uroj që ekipi jonë ta shfrytëzojë pozitivisht”, është shprehur ai.

Presidenti i FSHF-së ka komentuar edhe organizimin e përbashkët të Kampionatit Evropian U21 për vitin 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi – një vendim që ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe futbollistik.

“Vendimi për të marrë një kampionat me Serbinë nuk është i lehtë. Ky është një organizim sportiv. Kampionatet do të luhen në 2 vende të ndryshme. Mesazhi për mua është pozitiv. Ne duhet të shohim përpara. Gjithë bota flet për marrëdhënie të paqta dhe zhvillim, ndaj edhe fëmijëve tanë nuk duhet t’u lëmë luftë, por paqe”, ka deklaruar Duka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë