Gjashtë ditë para verdiktit në Hagë, LIRIA KA EMËR i fton diasporën në tubim me 15 dhe 16 shtator
Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që më 15 dhe 16 shtator të mblidhen në Hagë, në pritje të vendimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një njoftimi, platforma ka bërë të ditur se këto ditë ka qenë në komunikim me autoritetet holandeze për të krijuar mundësinë e organizimit të tubimit.
“Ju ftojmë të gjithëve që në këto dy ditë të jemi bashkë në Hagë, në pritje të vendimit që shpresojmë dhe besojmë se do të jetë lirues”, thuhet në njoftim.
Platforma Liria ka vlerësuar kontributin e diasporës në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, duke e cilësuar këtë si “një tjetër moment vendimtar”. /Gazeta Express
Njoftimi i plotë:
Të nderuar bashkatdhetarë,
Këto ditë kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet holandeze, me qëllim që të krijojmë mundësinë për tubimin tonë më 15 dhe 16 shtator në Hagë.
Ju ftojmë të gjithëve që në këto dy ditë të jemi bashkë në Hagë, në pritje të vendimit që shpresojmë dhe besojmë se do të jetë lirues.
Diaspora jonë ka qenë gjithmonë pranë Kosovës. Ajo ka mbështetur rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, në ditët më të vështira dhe në momentet më të rëndësishme të historisë sonë.
Sot jemi përballë një tjetër momenti vendimtar.
Do të jemi atje për të mbrojtur të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së, lirinë tonë, pavarësinë e Kosovës dhe një trashëgimi historike në të cilën diaspora jonë ka një kontribut të jashtëzakonshëm.
Prandaj, ju bëjme thirrje të gjithë bashkatdhetarëve: më 15 dhe 16 shtator, ejani në Hagë!
Ata që punojnë, nëse kanë mundësi, le të marrin pushim. Ata që janë më larg, le të organizohen dhe të vijnë. Le të jemi bashkë në këto ditë të rëndësishme për Kosovën.
Le t’ua dëshmojmë edhe një herë miqve tanë dhe gjithë botës se diaspora nuk e harron sakrificën, nuk e harron lirinë dhe nuk e harron historinë.
Për detajet rreth vendit dhe orarit do t’ju njoftojmë në ditët në vazhdim.
Më 15 dhe 16 shtator, Kosova dhe diaspora – bashkë në Hagë!
Për lirinë.
Për të vërtetën.
Për Kosovën.
