Haxhiu: Kushtetuta e Kaçanikut dëshmon vullnetin e Kosovës për Republikë
U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke thënë se më 7 shtator 1990, në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës i dhanë bazë kushtetuese vullnetit të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë.
Haxhiu ka vlerësuar se Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij, ndërsa ka nderuar hartuesit dhe delegatët që e miratuan atë.
Ajo ka theksuar se rruga që nisi me Deklaratën e 2 korrikut dhe mori trajtë kushtetuese më 7 shtator vazhdoi përmes rezistencës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i vendit dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Postimi i plotë:
Më 7 shtator 1990, në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë.
Teksa Serbia po rrënonte autonominë e Kosovës, po shuante institucionet e saj dhe po përpiqej ta nënshtronte me dhunë vullnetin politik të qytetarëve, Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij. Pikërisht për këtë, rëndësia e saj shkon përtej tekstit juridik që u miratua atë ditë. Ajo dëshmon se edhe në kushtet e pushtimit dhe të represionit, Kosova kishte njerëzit, dijen dhe vullnetin për t’i dhënë formë juridike përcaktimit të saj politik.
Në hartimin e saj qëndron puna e juristëve që, në kushte të jashtëzakonshme, ndërtuan një rend kushtetues mbi vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa në votën e delegatëve qëndron guximi i një brezi që mori mbi vete përgjegjësinë për t’i dhënë kërkesës për Republikë formën e një akti kushtetues.
Rruga që nisi me Deklaratën e 2 korrikut dhe mori trajtë kushtetuese më 7 shtator vazhdoi përmes rezistencës së qytetarëve të Kosovës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i vendit dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, nderojmë hartuesit e saj, delegatët që e miratuan dhe të gjithë ata që në vitet më të vështira e mbajtën të gjallë kërkesën për Republikë. Ajo që më 7 shtator 1990 mori formë kushtetuese ishte një përcaktim politik që historia e Kosovës do ta çonte përpara deri në pavarësi dhe shtetësi.
