Kosova ka përfunduar vitin 2024 me një tjetër bilanc negativ: deficiti tregtar është rritur për 7.4% krahasuar me vitin paraprak, duke arritur vlerën e rreth 6 miliardë eurove, raporton Ekonomia Online.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) flasin për një thellim të mëtejmë të hendekut mes importit dhe eksportit, ndërsa ekonomistët tërheqin vërejtjen për pasoja serioze nëse qeveria nuk ndryshon kursin ekonomik.

Profesori universitar i ekonomisë, Medain Hashani, në intervistë për Ekonomia Online, e sheh situatën si pasojë të drejtpërdrejtë të mungesës së mbështetjes për prodhuesit vendorë dhe tërheqjes së dobët të investimeve të huaja.

Ai i cilëson politikat ekonomike të qeverisë si të dëmshme për zhvillimin afatgjatë të vendit, duke theksuar se mungesa e një strategjie të qartë për industrinë prodhuese dhe dështimi për të ndërtuar një ambient konkurrues për bizneset vendore ka sjellë Kosovën në këtë gjendje alarmuese.

“Arsyet e deficitit tregtar janë për shkak të rritjes enorme të importit në nivel vendi, për shkak që ne në ekonominë e Kosovës kemi një bilanc tregtar tejet negativ qysh nga fillimi, mirëpo bilanci tregtar negativ në vitin 2024 ka qenë rreth 6 miliardë euro dhe ky 6 miliard ka ardhur për shkak të mossubvencionimit të bizneseve prodhuese nga ana e Qeverisë së Kosovës, moskrijimit të një klime për investime të huaja. Ne në nivel të vendit duhet të orientohemi që të tërheqim investitorë të huaj, të rrisim prodhimin dhe produktet, të cilat janë importuar në nivel të përgjithshëm të zëvendësohen me produktet vendore. Kjo është një politikë mjaft e gabuar që e ka aplikuar Qeveria e Kosovës dhe mungesa e subvencionimit të ndërmarrjeve prodhuese ka shkaktuar një nivel të lartë të importit. Gjithashtu në aspektin financiar kemi rritje edhe të çmimeve në nivel të përgjithshëm global dhe kjo ka ndikuar mjaft shumë që të kemi një deficit të lartë tregtar dhe ky deficit është duke vazhduar edhe në vitin 2025. Këto janë disa nga faktorët që kanë ndikuar që të kemi një bilanc tregtar negativ”, tha ai.

Hashani mendon se mungesa e prodhimit vendor dhe dobësimi i kapaciteteve eksportuese kanë krijuar një spirale të rrezikshme ekonomike. Ai vë në dukje se eksportet drejt Shteteve të Bashkuara kanë rënë ndjeshëm.

“Kemi pasur eksportues edhe më herët, të cilët nëse e marrim vetëm pjesën e eksportit me SHBA-në kemi pasur eksportues që ka eksportuar në SHBA dhe nga mbi, siç ka qenë diku, rreth 200 milionë. Eksporti në SHBA tani është rreth 20 milionë. Kjo tregon që përpos që nuk është subvencionuar asnjë ndërmarrje prodhuese, është penguar në zhvillimin e produktit në Kosovë dhe të rritet eksporti. Pra një qeveri, e cila nuk ka një plan-program të qartë për zhvillimin ekonomik të vendit, krijohet një situatë e tillë, sepse nëse ti nuk ke prodhim dhe eksport, i cili është bërë më herët, jo që është përkrahur, por është penguar dhe ka ndikuar që të kemi një nivel mjaft të ulët të eksportit, siç është rreth 14.8 për qind në raport me importin që ka pjesëmarrje më të lartë sesa eksporti. Këto janë disa nga faktorët që e kanë penguar zhvillimin”, tha ai.

Situata, sipas Hashanit, është përkeqësuar edhe më shumë pas liberalizimit të tregut të energjisë, që ka filluar nga 1 qershori i këtij viti. Kostoja e lartë e energjisë, sipas tij, ka bërë që ndërmarrjet prodhuese të frenojnë aktivitetin.

“Tani jemi në një situatë të re ekonomike, kur nga 1 qershori ka filluar edhe liberalizimi i tregut të energjisë dhe këto ndërmarrje prodhuese, të cilat bëjnë pjesë në 14.8 përqindëshin, të cilët kanë eksportuar, sipas informatave nga odat ekonomike të Kosovës, që përfaqësojnë këto biznese prodhuese, ato vetëm e kanë stagnuar prodhimin për shkak të kostos së lartë të energjisë. Pritet që gjatë vitit 2025 nëse nuk ndërmerret ndonjë hap nga ana e qeverisë për eliminimin e kësaj barriere që e ka shkaktuar të kemi edhe rritje të papunësisë për shkak të mosfunksionimit të prodhimit në Kosovë”, tha për EO, Hashani. /EO/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kthehu lartë